“Sa më shumë të shtyhet rezistenca ndaj Asociacionit, aq më afër është ideja serbe për të”

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar i Kosovës, prandaj Qeveria aktuale duhet të hartojë një draft-statut për të, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani.

“Sa më shumë të shtyhet rezistenca ndaj formimit të Asociacionit, ne aq më afër i afrohemi idesë serbe për Asociacionin si autonomi politike-territoriale, si Republika Sërpska ose si bashkësi politike e serbëve lokalë, që del prej rendit kushtetues të Kosovës. Sa më shumë të vonohet, ne i afrohemi idesë serbe”, thotë Hasani.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia më 2013 arritën Marrëveshjen për Asociacionin. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e Asociacionit. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese gjeti se disa pika nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Hasani thotë se Asociacioni si koncept nuk ka përmbajtje, por është vetëm një dokument me parime, të cilat nuk mund të zbatohen si dispozita, për shkak se ato nuk janë të vetë-ekzekutueshme. Prandaj, sipas tij, Kosova duhet t’i qaset dhe të insistojë edhe në krijimin e statutit për Asociacionin, sipas mundësive që i jep vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese.

Serbia insiston që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Por, Hasani thotë se insistimi serb për Asociacion me kompetenca ekzekutive nuk shpjegon asgjë, pasi sipas tij, komunat aktuale, përfshirë edhe ato me shumicë serbe, kanë mjaft kompetenca ekzekutive.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese [të Kosovës] nuk është marrë me kompetencat ekzekutive ose jo, por vetëm ka treguar që natyra e Asociacionit, siç është propozuar [më 2013], siç është operacionalizuar më 2015, bie ndesh me Kushtetutën ekzistuese. E keqja e kësaj Qeverie [të Kosovës], ashtu sikurse edhe të gjitha tjerave, është se nuk i dalin përballë Asociacionit, ta bëjnë një draft për të dhe të diskutojnë. Ata duhet të ulen, ta bëjnë një draft dhe të thonë ‘kjo është pozita jonë për këtë çështje’, ta zbatojnë dhe të thonë ‘kjo është kështu edhe pikë’”, vlerëson Hasani./REL

Shpërndaje këtë artikull në:
Të Ngjashme
Widget post How to clear the air in the most polluted cities on Earth
27 Feb 03:20 Persikopi
OPINION